Andrra: Si lash gjithçka për Sinanin

Pasi janë celebruar burrë e grua, gjatë dasmës madhështore me tri ceremoni dhe 1 mijë të ftuar, këngëtari Sinan Hoxha dhe bashkëshortja e tij, Andrra Destani, sapo janë kthyer nga një muaj luksoz mjalti në Dubai.

 

Kështu i kanë dhënë vetes pak kohë për të bërë rrëfimin e tyre të parë për historinë e dashurisë me shikim të parë, që i çoi në altar. Pas martesës, Sinani po ambientohet me ndryshimin e statusit nga beqar në i martuar, ndërsa Andrra, përveç këtij ndryshimi, tashmë po mësohet me jetën e re në Tiranë, edhe pse është rritur në Gjermani.

Në një rrëfim konfidencial për versionin shqiptar të revistës “Who”, dy të sapomartuarit kanë ndarë me lexuesit shumë sekrete të lidhjes së tyre, që nga njohja e deri te planet për të sjellë në jetë katër fëmijë.

I pyetur se si u njoh me modelen nga Kumanova e Maqedonisë, këngëtari tregon: “Krejt rastësisht! Për çudi, të dy një ditë kishim dalë për shopping në një qendër tregtare në Gjermani. Pasi kisha mbaruar koncertin, mendova të dilja të blija një palë xhinse, dhe hyra në një nga qendrat me dyqane të Dortmundit. Pashë disa vitrina, e në fund u ula për të pirë një kafe. Aty ishte ulur edhe Andrra me disa shoqe të universitetit. Kështu nisi e gjitha, sapo e pashë”. Modelja rrëfen variantin e saj të njohjes, duke pohuar se në fakt ishte shoqja e saj që donte të bënte foto me Hoxhën, por ai iu drejtua asaj me fjalët: “Shoqen e paske shumë të bukur”. S’di pse nuk e mora si kompliment, pasi Sinani m’u duk arrogant dhe i pasjellshëm (qesh). Koha tregoi se isha gabim. Sjellja e tij me mua, më lë pa fjalë çdo ditë që jam me të”, sqaron ajo. Ndërsa ai është shprehur i habitur që Andrra, edhe pse shumë e re në moshë, i solli pajë në shtëpinë e tyre.

E pyetur se sa e vështirë ishte të merrte vendimin për të braktisur gjithçka në Gjermani, e të vijë të jetojë në Tiranë me Sinanin, Andrra përgjigjet: “Dashuria më ka verbuar (qesh)! Por në kohët në të cilat jetojmë Gjermania është shumë afër. Mundem të shkoj sa herë të dua. Pastaj, Shqipëria më ka tërhequr gjithmonë, pasi çdo vit me familjen pushimet verore i kemi bërë këtu. Tirana më pëlqen shumë, por edhe Hamburgu ku jeton familja ime, gjithashtu. Është e thjeshtë:Do të udhëtoj shpesh”. Ata tregojnë se janë çift tradicional, dhe çdo hap të njohjes e deri në përfundimin me martesë ata e ndoqën sipas traditave shqiptare. Për dhëndrin ditët e para të martesës janë si në përralla ose, siç thotë populli, “fillimi i qypit me mjaltë”.

Ne jemi ende te mjalti, për më vonë s’e di, thotë ai duke qeshur. Ndërsa ajo nuk e fsheh lumturinë si nuse e re, dhe duke e cilësuar Sinanin në këtë intervistë gjysmën e saj më të mirë. Për sa u përket detyrave të shtëpisë, ai thotë se “janë të ndara me shekuj punët te ne shqiptarët, burri është burrë e gruaja, grua. Ajo thotë se burri i saj do të jetë shumë në rregull në këtë pjesë, sepse edhe mua më kanë mësuar që gruaja në shtëpi është shefja e punëve”. Natyrisht që nuk do e ketë kaq të thjeshtë të jetë nusja e një këngëtari, i cili pjesën më të madhe të ditëve kalendarike i ka të zëna me udhëtime jashtë vendit me koncerte. “Jo, nuk mendoj se do e ndjek pas kudo. Ndoshta mund ta shoqëroj, kur të ketë koncert në ndonjë shtet apo qytet që s’e kam parë, por jo gjithë kohën. Unë kam profesionin timin, ndërsa ai të vetin”, shprehet ajo.

Nuk ka munguar një pyetje për vjehrrin dhe vjehrrën që i është bërë asaj si nuse tradicionale që është. “I dua shumë! Janë prindër të jashtëzakonshëm, si vjehrri, edhe vjehrra. Ne jetojmë vetëm, por sinqerisht do të kisha shumë dëshirë të jetoja edhe me ta. Ai ka dy prindër të mrekullueshëm! Për planet e zgjerimit të familjes me fëmijë, Sinani thotë se “tanimë dihet që unë vij nga një familje me shumë fëmijë. Po ashtu i dua fëmijët dhe do të doja të kisha shumë fëmijë, por kjo nuk është krejtësisht në dorën time. Duhet pyetur edhe nusja… Dhe ajo është përgjigjur se do të donte të kishte “katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Por kjo është në dorën e Zotit!”

 

1

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *