Personi që ka shpërndarë në rrjete sociale videon ku e moshuara dhunohet nga infermierja e azilit ku po qëndronte është një aktore e quajtur Kaltrinë Zeneli. Në një prononcim për “Telegrafi” ajo ka treguar se ka marrë shumë kërcënime nga disa njerëz për shpërndarjen e videos.
“Është e vërtetë që unë po kërcënohem në rrjetet sociale për videon që e kam shpërnda gjatë natës së mbrëmshme. Por, realisht unë në rrjetet e mija sociale e kam emrin Kaltrinë Zeneli dhe jo Kaltrina Zeneli dhe personat të cilët kanë kërcënuar dikë tjetër. Vajza në fjalë më është drejtuar mua dhe m’i ka dërguar mesazhet që ka marrë prej personave të ndryshëm. Vajza që ka emrin e njëjtë me mua më ka treguar se e ka denoncuar njërin prej komentuesve që i ka dërguar një mesazh kërcënimi”, është shprehur Zeneli.
Më pas aktorja ka sqaruar se nuk fshihet ajo pas filmimit të videos: Njerëzit po mendojnë që vajza e cila e ka xhiruar atë video kam qenë unë, është një keqkuptim këtu. Unë nuk kam xhiruar, nuk jam pjesë e videos. Jam ajo që e kam shpërnda dhe e kam denoncuar rastin gjë që nuk jam fare e penduar. Unë kam marrë kërcënime edhe nga njerëz që më kërcënojnë me gjuhë të ndryshme si spanjolle, italisht dhe anglisht. Unë po brengosem për vajzat që e kanë emrin si unë dhe po përballen me këtë rast.