Connect with us

Lajme

Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht vendimin për xhamat e errësuara në vetura

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kufizonin përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke vlerësuar se ato nuk kishin mbështetje të mjaftueshme në ligj.

Me aktgjykim, Supreme shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi paragrafët 1, 3 dhe 4 të nenit 7, ndërsa la në fuqi paragrafin 2, i cili rregullon vetëm evidentimin administrativ të xhamave të errët në dokumentacionin e automjetit.

Sipas Gjykatës, ligjet në fuqi për trafikun rrugor dhe automjetet nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e folieve errësuese apo për zëvendësimin e xhamave me xhama të errët. Përkundrazi, ato lejojnë modifikime në automjete, për sa kohë që këto ndryshime i nënshtrohen procedurave të kontrollit teknik dhe atestimit sipas standardeve ligjore.

Gjykata konstatoi se MPB-ja kishte vendosur kufizime shtesë që nuk ishin paraparë nga Kuvendi përmes ligjit. Në veçanti, u vlerësua si i paligjshëm kufizimi që lejonte xhamat e errët vetëm nëse ishin të instaluar nga prodhuesi, si dhe ndalimi i përgjithshëm i vendosjes së folieve errësuese në automjete.

Sipas Supremes, organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për zbatimin e ligjit dhe jo për krijimin e ndalimeve të reja që nuk mbështeten në autorizim të qartë ligjor.

Vendimi konsiderohet i rëndësishëm për pronarët e automjeteve, pasi sqaron kufijtë e kompetencave të institucioneve administrative dhe forcon parimin se kufizimet ndaj qytetarëve duhet të përcaktohen me ligj, e jo me udhëzime administrative.

Advertisement
Advertisement

Trending